Johnson i vendos kushte BE – Kërkon një pakt brenda 4 muajve, përndryshe do largohet
Kryeministri Boris Johnson i tha Bashkimit Europian se do të largohet nga tryeza e negociatave në muajin Qershor, nëse nuk përfiton një marrëveshje të tregtisë së lirë si ajo e Kanadasë.
Mandati negociues i Mbretërisë së Bashkuar për fazën e ardhshme të Brexit, ishte i ngjashëm në shumë pika me atë të publikuar nga Bashkimi Europian.
Ndryshimet kryesore qëndronin tek respektimi i rregulloreve të BE, mënyra se si marrëveshja do të strukturohet dhe qeveriset si dhe tek të drejtat e peshkimit në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.
“Është një vizion i marrëdhënies të bazuar tek bashkëpunimi miqësorë mes 2 vendeve sovrane të barabarta”, deklaroi qeveria, duke shtuar se nuk do të negociohet një marrëveshje ku Britania nuk ka kontroll të ligjeve të veta.
Mbretëria e Bashkuar ka caktuar një afat kohor të shkurtër për negociatat, duke thënë se kërkon një përshkrim të gjerë të marrëveshjes deri në Qershor, në mënyrë që të përfundohet gjatë Shtatorit.
Britania do të vlerësojë në Qershor nëse bisedimet janë në rrugëtimin e duhur e më pas do të vendosë nëse do vazhdojë negociatat, apo të përqendrohet vetëm tek dalja nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.