KE apel Italisë: Guxoni të bëni reformat, mos u trembni nga elektorati

Italia duhet të bëjë reforma ambicioze në mënyrë që të adresojë dobësinë ekonomike, deklaroi Valdis Dombrovskis, një prej zv.presidentëve të Komisionit Europian. Qeveria duhet të çojë përpara reformat e padëshiruara nga elektorati përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm, shtoi ai.
Italia së bashku me disa shtete të tjera anëtare të Bashkimit Europian pritet të dërgojë në Bruksel një plan të detajuar në terma afat-mesëm për të mbajtur nën kontroll buxhetin, duke mos shkelur njëkohësisht rregullat e përbashkëta fiskale.
Komisioni Europiuan ka lavdëruar vazhdimisht Italinë për disa reforma, kryesisht atë të punës, e njohur ndryshe si Jobs act, e që u ndërmor gjatë qeverisë së Matteo Renzit. Pavarësisht këtyre lavdeve, Brukseli ka bërë thirrje për vijimin e reformave kyç.
Bashkimi Europian është i shqetësuar në lidhje me angazhimin e Romës zyrtare për ta bërë këtë gjë. Shumëkush e vë në pikëpyetje vullnetin dhe guximin e Italisë për të ndërmarrë masa shtrënguese, në mënyrë që të ulë borxhin publik, në një kohë që po afrohen zgjedhjet e që populistët kërcënojnë të rrëmbejnë pushtetin.
Zgjedhjet do të zhvillohen Shkurtin e vitit të ardhshëm, dhe sondazhet nxjerrin fitues lëvizjen “5 Yjet” që kërkon daljen e Italisë nga Eurozona. Borxhi publik i vendit, në 133.3% të PBB, është edhe problemi numër një për momentin, dhe reformat duhet të zgjidhin pikërisht këtë problematikë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.