Kërkesat për ndihmë – Mbi 450 thirrje në ditë drejt Urgjencës Kombëtare
Mbi 450 thirrje për ndihmë i drejtohen urgjencës së Tiranës në ditë. Numri më i lartë i thirrjeve për ndihmë është për sëmundjet kardiovaskulare.
Dhënia e ndihmës së parë nga ekipet e urgjencës në terren bën që ti kursehen spitaleve deri në 120 euro për trajtim të pacientit.
Në një intervistë për televizionin SCAN, drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Skënder Brataj shprehet se përveç uljes së shpenzimeve për spitalet urgjenca e riorganizuar ofron shërbim më të shpejtë dhe më cilësor për qytetarët.
Në numrin 127 qytetarët jo vetëm mund të kërkojnë ndihmë por edhe mund të marrin këshillime për probleme të ndryshme shëndetësore që konsiderohen urgjente.
Sipas Bratajt, objektivat për 2018 janë rritja e numrit të ambulancave, pajisja e tyre me të gjithë mjetet dhe aparaturat mjekësore për transportimin e një pacienti si dhe korsitë e dedikuara pasi trafiku vijon të jetë një ndër pengesat për lëvizjen e mjeteve të emergjencave mjekësore.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.