Këshilli Bashkiak miratoi me 32 vota pro buxhetin e Tiranës. Veliaj: Investimet rriten me 16 për qind
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot me 32 vota pro buxhetin e vitit 2018, më i larti që ka pasur ndonjëherë Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj, në fjalën e tij para këshilltarëve bashkiakë, deklaroi se falë mirëadministrimit, për të tretin vit radhazi, buxheti vjen në rritje. Gjithashtu, ai bëri të ditur se në fokus të buxhetit do të jenë jo vetëm vijimi i projekteve dhe investimeve të nisura, por edhe investimet e reja që do të prekin kryesisht zonat periferike të Tiranës dhe zonat rurale.
“Fakti që ky është viti i tretë radhazi që vijmë përpara Këshillit me një buxhet me rritje, besoj se na jep të gjithëve të drejtën të ndihemi krenarë për punën që kemi bërë, por, ç’është akoma më e rëndësishme, na jep arsye të ndihemi optimistë se viti që vjen do të jetë një tjetër vit i mbarë për Tiranën, me shumë punë, shumë projekte që do të na çojnë një hap më pranë objektivit tonë për të ndërtuar Tiranën e gjeneratës tjetër. Ky është padyshim kurorëzimi më i bukur që mund t’i bëhej një viti shumë të mirë për qytetin”, deklaroi Veliaj.
Sa i përket investimeve ai theksoi se për vitin 2018, buxheti për këtë zë pëson një rritje prej 16%, krahasuar me vitin aktual. Kryetari i Bashkisë së Tiranës listoi investimet të cilat do të prekin jo vetëm zonën e qendrës, por edhe ato në periferi, ndërsa një vëmendje të posaçme do të marrë përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale.
“Me të drejtë buxheti i vitit 2018 mund të quhet buxheti i të gjithë qytetarëve, pasi përfshin të gjithë territorin e BT nga qendra deri në periferinë më të largët rurale të Bashkisë, duke shënuar rritje në të gjithë programet e zhvillimit”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai nënvizoi se gjatë 2017 numri i turistëve që vizituan Tiranën u rrit në mënyrë të ndjeshme dhe kjo falë falë punës së bërë jo vetëm në promovimin e qytetit dhe aseteve të tij, por edhe në një sërë investimesh të rëndësishme.
“Gjatë 2017 numri i turistëve që vizituan Tiranën u rrit 2.5 herë, pra me 250% krahasuar me 2016 dhe jam shumë optimist, që falë këtij mbulimi fantastik në mediat me prestigjioze ndërkombëtare, por edhe falë punës që kemi bërë për promovimin e qytetit në disa forume e panaire të rëndësishme ndërkombëtare, viti 2018 do të shohë një rritje akoma më spektakolare të këtij sektori të turizmit që deri më përpara as nuk llogaritej në të ardhurat tona buxhetore, por sot po jep një efekt ekonomik të jashtëzakonshëm për Tiranën”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
Në fjalën e tij, Veliaj evidentoi se gjatë këtij viti është arritur të përfundojnë disa nga projektet e mëdha strategjike të Tiranës, të cilat i kanë dhënë qytetit një imazh krejt tjetër, si dhe kanë sjellë një rritëm tjetër zhvillimi.
“Pazari i Ri është kthyer sot nga një gërmadhë dhe një gropë e madhe septike në mes të qytetit, në një nga zonat më fantastike e destinacionet më tërheqëse të Tiranës, sidomos për turistët e huaj që duan të shikojnë imazhin e Tiranës së vjetër. Sheshi “Skënderbej”, një tjetër projekt fantastik që u mbyll këtë vit për Tiranën, që tashmë ka bërë emër edhe në disa nga forumet më prestigjioze të arkitekturës, siç ishte Bienalja e Cikagos”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj dha një lajm të mirë edhe sa i përket jetës artistike të kryeqytetit. Piramida do të shndërrohet në shtëpinë e artit të pavarur në Tiranë, një vend ku qytetarët do të mund të shijojnë artin bashkëkohor. “Misioni i Piramidës është të ofrojë për qytetarët e Tiranës, sidomos për të rinjtë, një hapësirë gjithëpërfshirëse lirie të eksplorimit, ushtrimit dhe mësimit të artit. Ky objekt ka potencialin dhe mundësinë që brenda çatisë së tij të përmbledhë më të mirën e jetës intelektuale, artistike dhe mendimit novator që kryeqyteti ynë mund të ofrojë. Sapo kemi dakordësuar me Fondin Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, ashtu siç bashkëpunuam për Pazarin e Ri, ky do të jetë projekti ynë i radhës. Jam i sigurtë që do të transformohet në një xhevahir për Tiranën tonë”, bëri të ditur Veliaj.
Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2018 adreson edhe një sërë objektivash zhvillimorë në fushën sociale, që lidhen drejtpërsëdrejti me zbutjen e varfërisë dhe zhvillim ekonomik të shtresave të caktuara. “Në ndarjen e zërave të këtij buxheti, disa prej tyre vijnë në rritje siç janë programet e strehimit social, programet e nxitjes së punësimit, skema të cilat synojnë zhvillim afatgjatë dhe disa zëra janë risi buxhetimi, siç është projekti “bllok-ndihma ekonomike deri në 6 %”, tha Veliaj.
Në fushën e nxitjes së punësimit, programet e hartuara synojnë të krijojë lehtësi për ngritjen e biznesit në mbështetje të sipërmarrësve të rinj apo të grave sipërmarrëse. Kujdes të veçantë do të tregohet edhe për programin e mbështetjes së karrierës profesionale për të rinjtë e sapodiplomuar, të cilët do të mund të zhvillojnë Praktikën Profesionale pranë një subjekti privat, kohë gjatë së cilës do të marrin një pagë në nivelin minimal, financuar nga Bashkia Tiranë, nismë e cila këtë vit rezultoi e suksesshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.