Kina nuk ndalet – Kompanitë shtetërore rrisin fitimet me 21.4%, në $293 mld në 7 muaj
Kompanitë shtetërore kineze regjistrojnë një rritje të ndjeshme të fitimeve gjatë 7 muajve të parë të këtij viti, tregojnë të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave të Kinës. Kështu, këto të dhëna tregojnë se, të ardhurat e biznesit u rritën me 10.2%, për një total prej 4.75 trilionë dollarësh, që tregon edhe njëherë sesa të rëndësishme janë ndërmarrjet shtetërore për ekonominë kineze, që është edhe ekonomia e dytë më e madhe në Botë.
Sa i përket fitimeve, ato regjistrohen në rritje edhe më të madhe, në 21.4%. Kjo normë përkthehet në një vlerë monetare prej plot 293 miliardë dollarë në vetëm 7 muajt e parë të këtij viti. Norma e fitimit rezulton kështu 11.2 pikë përqindje mbi atë të të ardhurave, çka sinjalizon më së miri performancën mjaft të mirë ekonomike të vendit.
Hekuri dhe çeliku, së bashku me metalet e tjera, si dhe me naftën e nënproduktet e saj, rezultojnë të jenë shtysa kryesore e kësaj performance. Performanca mund të përmbyset tërësisht gjatë muajve në vijim me hyrjen në fuqi të tarifave tregtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.