Kinematë mund të zëvendësojnë projektorët 125-vjeçarë me televizorë gjigandë

Në një të ardhme shumë të afërt, vizitorët e kinemave mund të shohin filma në televizorë gjigandë, në vend të projeksionit në në çarçafë të bardhë prej vinili.
Kompania koreane Samsung ka zbuluar planin e saj për ekrane LED gjigande për kinema.
Samsung raporton se televizori është brenda parametrave teknike të vendosura nga “Iniciativat për Kinemanë Dixhitale”, një sipërmarrje e përbashkët e Disney, Fox, Paramount, Sony, Universal dhe Warner Bros. Kjo nënkupton se do të jetë gati për kinemanë, me të dalë në treg, pasi plotëson standardet në performancë, siguri dhe cilësi.
Ekranet 10 metra të gjera janë pak më të vogla se ekranet standarde të kinemasë, të cilët variojnë nga 13 deri në 20 metra dhe deri në 9 metra të larta. Megjithatë Samsung thotë se cilësia e figurës është shumë më e mirë.
Ekrani LED ofron një kontrast më të fortë dhe ndriçim maksimal deri në 10 herë më të lartë se projektorët standardë të kinemave. Ai gjithashtu ka më pak nevojë për mirëmbajtje.
Projektorët duhet të punojnë më shumë për të arritur të njëjtin ndriçim si televizorët, ndërsa llambat e tyre duhet të zëvendësohen me kalimin e kohës. Kontrasti në projektorë përcaktohet nga sa e errët është dhoma e projeksionit. Megjithatë, në një dhomë të errët, si ajo e kinemave, projektorët janë më të lehtë për syrin.
Samsung bëri një lajmërim të shkurtër për këtë teknologji në Mars të këtij viti, ndërsa tashmë ka nisur t’i shfaqë publikisht edhe televizorët e rinj. Ende nuk dihet se sa do të kushtojnë dhe nëse do të jenë një alternativë e vlefshme sa i takon kostove.
Projektorët dixhitalë të kinemave mund të kushtojnë me dhjetëra mijëra deri në qindra mijëra dollarë, në varësi të modelit, si dhe kostove të ekranit dhe instalimit.
Panelet e ekraneve të televizorëve janë më të brishtë se ekranet e projektorëve dhe kjo mund të vështirësojë instalimin dhe riparimin e tyre. Megjithatë, mund të jetë më mirë për prodhuesit e filmave, të cilët tashmë mund ta dinë që në post-produksion se si do të duket filmi tek audiencat.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.