Konsumi në Eurozonë – Shitjet me pakicë rriten për të katërtin muaj radhazi në Prill

Shitjet me pakicë në Eurozonë janë rritur lehtë në muajin Prill, duke shënuar muajin e katërt radhazi, ndërkohë që konsumatorët kanë shtuar blerjet e ushqimeve dhe pijeve përpara sezonit të pushimeve. Shitjet në 19 vendet e Eurozonës u rritën me 0.1% në Prill nga Marsi, tregon zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, poshtë projeksioneve prej 0.2%.
Me bazë vjetore, volumi i shitjeve me pakicë u rrit me 2.5%, sipër parashikimeve prej 2.3%. Pavarësisht rritjes më të ngadaltë, të dhënat sollën rritjen për të katërtin muaj radhazi, duke treguar se konsumatorët nuk janë ndikuar nga niveli më i lartë i çmimeve në rajon.
Inflacioni qëndroi në 1.9% në muajin Prill, duke rënë në 1.4% për Majin, tregojnë të dhënat e Eurostat. Shitjet me pakicë u rritën kryesisht në produktet ushqimore të pikëve dhe duhanit, duke shënuar 0.6% nga muaji i kaluar.
Konsumatorët reduktuan me 0.4% blerjet e produkteve jo-ushqimore, një kategori e gjerë që përfshin edhe veshjet e këpucët. Shitjet ranë me 0.8% me bazë mujore për karburantet, ndërkohë që çmimet u rritën në muajin Prill.
Ndër ekonomitë më të mëdha të Eurozonës, shitjet me pakicë ranë me 0.2% në Gjermani, që është ekonomia më e madhe e bllokut, 0.1% në Francë, ndërsa në Spanjë u rritën me 0.6%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.