Konsumi nxit ekonominë gjermane – Kthehet në motorin e rritjes, tregtia mbetet pas
Konsumatorët sollën burimin kryesor të rritjes ekonomike në Gjermani, për tremujorin e dytë, ndërkohë që ekonomia më e madhe e Europës ka përfituar nga punësimi në nivel rekord, rritja e pagave dhe normat e ulëta të interesit.
Ekonomia gjermane u rrit me 0.6% në periudhën Prill-Qershor, raporton Zyra Federale e Statistikave, duke i dhënë mbështetje fushatës së Angela Merkel për mandatin e saj të katërt. Konsumi u rrit me 0.8%, duke kontribuar me 0.4% në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto.
Tregu i fortë i punës ka sjellë rritjen e pagave ndërsa normat e ulëta të interesit të caktuara nga Banka Qendrore Europiane, kanë inkurajuar gjermanët që të shpenzojnë më shumë dhe kursejnë më pak.
Ky zë është kthyer në motorin e rritjes për Gjermaninë, duke i zënë vendin eksporteve, që u rritën me 0.7%. Importet ndërkohë, u rritën me 1.7% dhe imbalanca tregtare i hoqi 0.3% rritjes ekonomike.
Përveç konsumit privat, ekonomia ka marrë vrull gjithashtu nga shpenzimet shtetërore dhe investimet në ndërtim dhe pajisje. Prodhuesit gjermanë kanë vazhduar të punësojnë dhe investojnë në pajisje, për të përballuar porositë e reja.
Investimet në makineri dhe pajisje u rritën me 1.2%, duke i shtuar 0.1% rritjes ekonomike.
Shpenzimet e mëdha shtetërore, kryesisht në infrastrukturë dhe për emigrantët, kanë kontribuar gjithashtu ndaj rritjes, duke nxitur një fuqizim në sektorin e ndërtimit. Investimet në ndërtim u rritën me 0.9%, duke i shtuar 0.1% rritjes.
Porositë për kompanitë e ndërtimit u rritën me 5.5% në 6 muajt e parë, gjë që tregon se sektori do të vazhdojë i fortë edhe në muajt që vijnë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.