Kontrolli teknik i automjeteve – Autoriteti i Konkurrencës hap hetim paraprak

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë një hetim paraprak në tregun e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve. Hetimi do të përfshijë periudhën qershor 2016- dhjetor 2017, për të mbledhur të dhëna që mund të çojnë në hapjen e një hetimi të thelluar lidhur me sjelljen e kompanisë SGS Albania.
Që nga viti 2009, shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve ofrohet nga kompania koncesionare SGS Albania, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me qeverinë shqiptare. Në bazë të asaj marrëveshjeje, ky treg ka ngelur monopol, megjithë pakënaqësitë e drejtuesve të mjeteve për mospërmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe në veçanti të kohës së gjatë të pritjes.
Në vitin 2014, pas një kërkese nga Komisioni Kuvendor i Ekonomisë, Autoriteti i konkurrencës nxori disa rekomandime për tregun në fjalë. Në atë vendim, rekomandohej që kompania koncesionare të krijonte më shumë se një mundësi zgjedhjeje për kryerjen e kontrollit teknik.
Në një afat më të gjatë, i rekomandohej qeverisë shqiptare të hiqte monopolin e SGS dhe të mundësonte ofrimin e këtij shërbimi nga disa operatorë. Megjithatë, kjo nuk është bërë dhe, me sa duket, nuk ka gjasa të bëhet para vitit 2019, kur përfundon edhe kontrata me SGS Albania.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.