Korrupsioni në institucione – IDM: 70% e qytetarëve mendojnë se Gjykatat janë më të korruptuarat
Gjykatat janë institucioni më i korruptuar në vendin tonë sipas perceptimit qytetar. Ky është rezultati i sondazhit të bërë nga instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në korrik të 2017-ës, ku 70% e të intervistuarve radhitën të parat gjykatat të pasuar nga parlamenti me 68%, prokuroria me 67%, doganat 66% dhe shëndetësia me 61%.
Sipas këtij raporti, institucionet më pak të korruptuara, 12 të marra, janë media dhe OJQ. Ndërsa perceptimi i korrupsionit në polici ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë vetëm 52% besojnë se ka korrupsion nga 62% vitin e kaluar.
Sipas Redion Qirjazit përfaqësues i IDM-së, nga ky raport del qartë tendenca në rritje e qytetarëve që denoncojnë një rast korrupsioni nga 47% në 2016-ën në 54% këtë vit. Kjo përqindje sipas Qirjazit do ishte më e lartë nëse identiteti i qytetarëve do të mbahej i fshehtë.
“Nëqoftëse policia e shtetit do të gjente një mënyrë për të ruajtur konfidencialitetin e tyre, kjo do të rriste me 30% numrin e atyre, të cilët nuk do të ishin të prirur që të bënin denoncimin në radhë të parë. Kjo është diçka që mund të merret në konsideratë për t’u aplikuar dhe kjo eventualisht rrit në vijim besueshmërinë tek policia e shtetit. Kjo sepse kur qytetari e di që mund ta bëjë një denoncim, ruhet konfidencialiteti i tij, që do të thotë se nuk mund të vuajë masa të tilla si në zonat rurale ku shumë individë mund të shqetësohen edhe për hakmarrje”, u shpreh përfaqësuesi i IDM, Redion Qirjazi.
Qirjazi shtoi më tej se ky raport tregon rritjen e besueshmërisë tek policia e shtetit. Ndërkohë sipas raportit më të predispozuar për të bërë denoncime janë meshkujt dhe ashtu sikurse në vitin 2016 zgjedhja e parë për raportimin e korrupsionit të policisë është pikërisht rajoni i policisë, pasuar nga Mediat.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.