Kosova nuk vendos – Fiton koalicioni i madh, por “VV” parti e parë
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk kanë arritur të prodhojnë dot një mazhorancë qeverisëse, pasi asnjë nga 5 koalicionet apo 19 partitë nuk arrin dot ta bëjnë numrin magjik prej 61 deputetësh në parlamentin e ri me 120 vende.
Pavarësisht kësaj, koalicioni i djathtë mes PDK-AAK-NISMA rezulton fitues i zgjedhjeve, me rreth 34% të votave. Në vend të dytë është ngjitur Vetëvendosja, surpriza më e madhe e votimeve të së Dielës.
Vetëvendosje, garoi e vetme, në koalicion me asnjë parti tjetër, dhe si e tille, pra si parti, rezulton të jetë forca e parë. Vetëvendosje që i`u ofrua elektoratit me Albin Kurtin si kandidat për Kryeministër, ka kaluar me më shumë se dyfish veten e saj në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Partia e kryeministrit në dalje, Isa Mustafa, në aleancë me partinë e Behxhet Pacollit duket se kanë zbritur në vendin e tretë. Që prej vitit 2008, kjo është norma më ulët e pjesëmarrjes në votime, vetëm 41%.
Pas certifikimit të zgjedhjeve dhe rezultatit përfundimtar, Ramush Haradinaj pritet të marrë mandatin nga presidenti i republikës, Hashim Thaçi, për të formuar qeverinë e re.
Haradinaj më pas do të duhet të arrijë një marrëveshje me të paktën dy parti jashtë koalicionit, gjë e cila nuk duket aspak e thjeshtë. Në rast se dështon, mandati për të krijuar qeverinë e re, pritet ti shkojë Albin Kurtit me Vetëvendosjen.
Paritë kryesore, PDK, AAK dhe LDK, që të treja kanë humbur ndjeshëm elektorat, në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Dyfishimi i votave të “Vetëvendosje” reflekton kështu se shqiptarët e Kosovës janë të pakënaqur me klasën politike, dhe sidomos me korrupsionin alarmant dhe papunësinë në 30%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.