Kosovë, Haradinaj takon Ambasadorin e Britanisë, O’Connell. Diskutojnë për procesin zgjedhor dhe krijimin e institucioneve të reja

Kandidati për kryeministër në radhët e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj është takuar gjatë ditë së sotme me Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, me të cilin diskutuan rreth procesit zgjedhor dhe krijimit të institucioneve të reja. Lajmin për takimin e dha vetë Haradinaj, në një postim në rrjetin social Facebook.
Në këtë postim Haradinaj shkruan se e ka siguruar ambasadorin O’Connell për angazhimin maksimal të tij dhe të partnerëve, për krijimin e Qeverisë së re dhe për adresimin e çështjeve, që kërkojnë zgjidhje urgjente, që nga sundimi i ligjit, proceset integruese e deri te zhvillimi ekonomik i vendit.
“Sot pata kënaqësinë ta pres në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, me të cilin folëm për procesin zgjedhor dhe për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.
E sigurova Ambasadorin O’Connell, për angazhimin maksimal timin dhe të partnerëve, për krijimin e Qeverisë së re dhe për adresimin e çështjeve, që kërkojnë zgjidhje urgjente, që nga sundimi i ligjit, proceset integruese e deri te zhvillimi ekonomik i vendit.
I përcolla mirënjohjen time për angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar, në mbështetjen e Kosovës dhe proceseve të saj demokratike dhe njëkohësisht kërkesën për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, shkruan Haradinaj.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.