Kostot e punës në BE – Variojnë nga 4.4 euro në Bullgari, në 42 euro për Danimarkën

Kostot mesatare të punës, përjashtuar sektorin e bujqësisë dhe administratën publike, u vlerësuan në 25.4 euro për orë në Bashkimin Europian për vitin 2016, në rritje me 1.6% nga viti i kaluar.
Megjithatë, sipas vlerësimeve të Eurostat, brenda vendeve anëtare ka patur diferenca të mëdha, apo nga 4.4 euro në Bullgari, që shënon nivelin më të ulët në rajon, e deri në 42 euro për Danimarkën, që përbën shifrën më të lartë.
Ndër vendet me koston më të ulët renditen: Rumania, Hungaria dhe Polonia, me €5.5, €8.3 dhe 8.6 euro në mënyrë respektive. Pas Danimarkës, për kostot më të larta, ndjek Belgjika me €39.2, Suedia me €38 dhe Franca me €35.6.
Duke e ndarë aktivitetin ekonomik në sektorë, industria rezulton më e shtrenjta në 26.6 euro për orë, ndjekur nga shërbimet me 25.8 euro dhe ndërtimi me 23.3 euro.
Kostot e punës përbëhen nga pagat dhe shpenzime të tjera si kontributet sociale, ku këto të fundit qëndruan mesatarisht në 23.9% në raport me totalin e kostove për Bashkimin Europian.
I vetmi vend që regjistroi një rënie është Italia, ku kostot rezultuan 0.8% më pak se në vitin e kaluar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.