Kostot reale të Korrupsionit në ekonomi/ ALTAX: I kushton buxhetit 515 milionë euro në vit. Por, është shkaku i rritjes së çmimeve
Korrupsioni ka një kosto reale në buxhet, por edhe në çmimet e mallrave e të shërbimeve për qytetarët, ndërkohë që vlerësimi i këtyre kostove është një sfidë shumë e vështirë, veçanërisht për ekonomitë me nivel mjaft të lartë informaliteti, sic është Shqipëria. Është pikërisht llogaritja e faturës së kostove të korrupsionit ajo që ka bërë Qendra ALTAX, përmes analzimit të raporteve dhe treguesve të ndryshëm.
Sipas llogaritjeve që bën Qendra bazuar në konkluzionin e analizës së FMN, korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë për Shqipërinë dhe një fenomen që i kushton ekonomisë rreth 515 milion euro në vit.
Në nivel lokal, korrupsioni mund të favorizohet nga kultura e klientelizmit dhe patronazhit, si dhe nga rrjetet e strukturuara informale të zyrtarëve publikë lokalë, nëpunësve civilë, liderëve të komunitetit dhe elitës së biznesit lokal.
Por kostot e korrupsionit nuk I vuan vetëm buxheti I shtetit, pra taksat që paguajnë bizneset e qytetarët. Kostoja e korrupsionit duket se ka ndikuar pikërisht në rritjen e çmimeve prej fundvitit 2021.
Kjo kosto e shtuar është transferuar nga bizneset te çmimet e mallrave dhe shërbimeve. Nëse kësaj transferte të bizneseve i shtojmë edhe koston e paketës fiskale 2022 me ndërhyrjet në rritje të taksave të konsumit (TVSH dhe akciza), atëherë mungesa e debatit publik dhe arroganca prej modelit korruptiv kanë ndikuar direkt në rritjen e çmimit për shumicën e mallrave që tregtohen për konsumatorët.
Duke vijuar efekti domino në rritjen e çmimeve edhe nga bizneset e shërbimeve për të përballuar kostot e lëndëve të para, atëherë një valë tjetër e justifikuar nga koha do të paguhet si çmim i shtuar nga të gjithë ne. E gjitha ndodh, kur të ardhurat mesatare dhe të ulëta, ashtu si u vërejt nga të dhënat e pagave në vend (skandali i publikimit të pagave) janë me shumicë të ulëta dhe mesatare të ulëta.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.