Kreditë me probleme – 14.3%, niveli më i ulët në shtatë vjet

Raporti i kredive me probleme ra përsëri për nëntorin e vitit të kaluar, duke konfirmuar një tendencë pozitive përgjatë vitit 2017. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme ra më tej në 14.3%, nga 14.5% që kishte qenë në fund të tetorit.
Që nga fillimi i vitit 2017, raporti i kredive me probleme ka zbritur me rreth 6 pikë përqindje. Shifra e regjistruar në fund të nëntorit është më e ulëta që nga tetori i vitit 2010.
Rënia e kredive me probleme është rezultat i përpjekjeve intensive të bankave dhe institucioneve publike në vitet e fundit. Ndikimin kryesor, sidomos në një fazë të parë, e dha pastrimi i bilanceve nga kreditë e humbura prej vitesh.
Ndërkohë, bankierët vlerësojnë se një efekt në rritje ka dhënë përdorimi i efektshëm i mekanizmave të ristrukturimit të hershëm të kredive.
Gjithashtu, përmirësimet në procesin ligjor të mbledhjes së detyrimeve dhe ekzekutimit të kolateralit kanë dhënë një ndihmesë, ndonëse bankierët ende kanë rezerva të mëdha rreth funksionimit të këtij procesi, sidomos në gjykata.
Ulja e kredive me probleme po ndikon paralelisht në përmirësimin e performancës financiare të bankave. Raporti i kthimit nga kapitali, që mat fitimin kundrejt kapitalit aksioner, ngelet në nivele mëse të kënaqshme, me 16.3% për nëntorin.
Të dhënat tregojnë se elementi kyç në rritjen e fitimeve për vitin 2017 është pikërisht ulja drastike e shpenzimeve për provigjionimin e kredive me probleme. Ndërkohë, edhe treguesit e kapitalizimit dhe likuiditetit të sistemit bankar ngelen mjaft të lartë, çka, mes të tjerash, tregon edhe potenciale të konsiderueshme për të rritur kreditimin.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.