Kreu i Bordit të AMF në “Argument”, Melani: “Shkarkimi i Shehut nuk krijon pengesa”

“Shkarkimi i drejtorit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare nuk ka krijuar pengesa dhe institucioni po funksionon normalisht”. Ka qenë kjo deklarata e kreut të Bordit të AMF-së Pajtim Melani në emisionin “Argument” të gazetarit Enio Civici. I pyetur rreth asaj çfarë po ndodh me AMF-në pas shkarkimit nga Kuvendi të Drejtorit Ekzekutiv, Melani tha se ligji për AMF-në e parashikon edhe këtë rast. “Funksionet i kalojnë nëndrejtorit ekzekutiv, sëbashku me vendimmarrjen dhe mbështetjen e Bordit që do të jetë pa kushte, e plotë e në përmbushje të detyrave tona, për të siguruar një mbikqyrje sa më efikase të tregut financiar” tha Melani.
Ai shtoi se Bordi është tashmë me 4 anëtarë, në pritje të anëtari të 5-të që do të jetë edhe Drejtori Ekzekutiv megjithatë edhe me këtë numër anëtarësh, kuorumi është i nevojshëm për cdo vendimmarrje. Sa i përket pasuesit në krye të institucionit, Melani tha se përtej dëshirave, është ligji ai që përcakton profilin e drejtuesit të ri. Krahas formimit profesional e eksperiencës në fushën ekonomike, drejtuesi i ri, sipas ligjit, duhet të mos ketë pasur funksione drejtuese politike apo angazhime në subjekte që kanë qenë në mbikqyrjen e Autoritetit të paktën në 2 vitet e fundit. Kreu i Bordit të AMF-së siguroi se deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri nga Kuvendi, institucioni është në kapacitet të plotë për mbikqyrjen e tregjeve.
Sa i përket institucionit, Melani tha se pavarësisht se është institucion relativisht i ri, AMF që prej vitit 2006 po funksionon në mbikqyrjen e tregjeve të rëndësishme si fondet e investimeve, tregjet e sigurimeve e pensioneve apo tregjet e obligacioneve. Në këtë kuadër, sfida e radhës, sipas Melanit është zhvillimi i tregut të kapitaleve. “Ne presim një bursë, që do të jetë sfidë për vende si Shqipëria. Por zhvillimet dhe tregu e kërkon dhe po e zhvillojmë… Unë them se tregu i kapitaleve duhet zhvilluar” tha Melani ndërsa shpjegoi në vijim të intervistës se tashmë përgatitja ka përfshirë jo vetëm bazën ligjore e burimet njerëzore profesionale, por edhe projektin për krijimin e strukturave të posaçëm që përfshijnë edhe një drejtori për mbikqyrjen në kohë reale të bursës.
“Ka qenë një nga objektivat tona. Me shumë kujdes dhe shumë maturitet kemi hedhur hapat e deritanishëm. Do të duhet të ishim më dinamikë, më bashkëpunues dhe të drejtëpërdrejtë me atë çfarë kërkon tregu dhe aplikantët për të marrë licencën e një bursë të parë private në Shqipëri. Nëse do jetë e sukseshme, i takon investitorit por ne duhet të bëjmë anën tonë, mbikqyrjen.
Sot ka bashkëpunim të frytshëm mes mbikëqyrësve dhe operatorëve privatë. Rregullatorët duhet të ndjekin me kuadrin e plotë ligjor sektorin privat. Bashkëpunimin e kemi pasur në nivel mesatar dhe do të duhet të thellojmë, të bashkëpunojmë pak më fort e të jemi më transparentë. Ne besojmë se aplikantët kanë bërë testimin e tregut për një produkt të tillë. Bashkëpunimi jonë i vazhdueshëm me Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave dhe kemi marrë mbështetjen nga të dy. Ministria e Financave ka qenë inkurajuese ndërsa Banka e Shqipërisë na ka dhënë informacionin e nevojshëm. Besoj se jemi në rrugën e duhur”tha Melani.
E sa i përket shqetësimit për platforma on-line që gabimisht janë etiketuar si “bursa on-line’, Melani tha se institucionet kanë vepruar në kohë duke minimizuar efektet negative ndërsa evidentoi se këto platforma janë investime me risk të lartë, ndryshe nga sa ndodh me mundësitë e tjera që ofron tregu shqiptar përmes operatorëve të licencuar.
“Sigurisht situata sot është shumë më ndryshe nga sa ishte më parë sepse angazhimi i institucioneve ishte në koherencë. Dua të kujtoj se me nismën time, u diskutua me ministrin e Financave dhe Guvernatorin. AMF mori nismë dhe filloi zbatimi i ligjit, u bë një denoncim penal për platformat e palicencuara. Në bashkëpunim me ADISA-n dhe AKEP-in po bllokojmë disa faqe interneti” tha Melani,
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.