Krimi ekonomik – Sekuestrohen biznese, 4 ton Cannabis dhe 2 mjete lundruese

Java që sapo lamë pas ka qenë intensive për policinë e shtetit, e cila për zbatimin e detyrave të përcaktuara në Planin-Operacional ”Vjeshtë 2017” dhe goditjen e krimit ekonomik financiar ka bërë të mundur sekuestrimin e 2 mjeteve lundruese, biznese, 4 ton Cannabis, armë gjahu dhe një sasi pijesh freskuese.
Policia e Vlorës, sekuestroi të martën një mjet lundrues me vlerë 150.000 Euro. Mjeti i përket shtetasit A.Ç., 29 vjeç, banues në Elbasan, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale ”Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ditën e premte Seksioni për krimin ekonomik e financiar, referoi materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin P.B, 55 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në Lanabregas, në subjektin e tij u konstatuan një sasi pijesh freskuese, pa fatura tatimore.
Në vijim të Mega – Operacionit “Banda e Babicës”, të zhvilluar nga Policia e Vlorës nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë dhe mbështetjen e Repartit Delta Forcë, u sekuestrua 4 ton Cannabis Sativa, armë gjahu, municion luftarak, mjet lundrues si dhe u arrestuan dy shtetas. Policia e Vlorës ka vijuar punën për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve dhe pasurive në pronësi të vëllezërve Habilaj që rrjedhin nga veprimtari kriminale ku bëhet fjalë për 3 aktivitete biznesi, 5 automjete dhe një mjet lundrues si edhe për evidentimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtij grupi kriminal.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.