Kritiku i Putin me avion drejt Berlinit. Alexei Navalny në gjendje kome, do trajtohet në Gjermani
Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny është transportuar në gjendje të rëndë shëndetësore këtë të shtunë drejt Berlinit. Opozitari është në gjendje kome, por jo në rrezik për jetën. Ndërkohë, aletatët e tij thonë se Navalny është helmuar dhe se autoritetet kanë bërë çmos për të penguar evakuimin e tij jashtë Rusisë.
Fillimisht autoritetet e justifikuan vonesën në largim jashtë vendit për kura të mëtejshme me faktin se gjendja e tij shëndetësore nuk e lejon transportin. Autoritetet mjekësore në Rusi thonë se Navalny nuk ka shenja helmimi, ndërkohë që mjeku i tij pretendon të kundërtën. Me të në bordin e avionit drejt Berlinit, mësohet të ketë qenë edhe bashkëshortja e tij, Yulia. Navalny ka krituar shpeshherë regjimin e Vladimir Putin dhe po shpeshherë është sulmuar edhe fizikisht.
Kjo ndërkohë nuk është hera e parë që ndaj një kritiku të Putin të vihen re shenja helmimi të rëndë. Madje, herë të tjera ka rezultuar edhe me fatalitete.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.