Kriza politike në Kosovë/ Kuvendi vazhdon debatet për të votuar ‘shkarkimin’ e qeverisë
Në Kuvendin e Kosovës po mbahet një seancë mosbesimi ndaj qeverisë e inicuar nga Lëvizja Demokratike e Kosovës, me kyetar Isa Mustafën.
Ky veprim i partnerit në koalicion të Lëvizjes Vetëvendosje vjen pasi, kryetari Mustafa ka akuzuar kryeministrin Kurti dhe partinë e tij, se me veprimet e njëanshme kanë dëmtuar në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunimin.
Në këtë mënyrë, z.Mustafa kritikon qëndrimin e qeverisë ndaj tarifës për mallrat serbe, ku sipas tyre ajo duhej të hiqej në mënyrë të plotë dhe për shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, z.Agim Veliu në mënyrë të padrejtë.
Kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani, njëkohësisht edhe anëtare e kryesisë së LDK-së ka kërkuar nga deputetët për shtyrjen e këtij mocioni, duke bërë thirrje për unitet në luftimin e koronavirusit dhe duke dalë kështu kundër vendimit të partisë së saj. Me mendimin e kryeparlamentares janë bashkuar edhe disa deputetë të tjerë nga LDK-ja, të cilët nuk dihet ende nëse do ta votojnë mocionin.
Kryeministri Kurti e ka cilësuar këtë mosbesim ndaj qeverisë së tij, si një plan të paramenduar nga presidenti Thaçi dhe lideri Mustafa, për të nënshkruar një marrëveshje të gatshme me Serbinë, që përfshin edhe shkëmbimin e territoreve. Sipas tij, kjo qeveri nuk do ta kishte lejuar një gjë të tillë dhe prandaj është përgatitur plani që ajo të shkarkohet.
Debatet vazhdojnë, ndërsa seanca e Kuvendit ka marrë një pauzë një-orëshe dhe pritet të vazhdojë deri në votimin përfundimtar për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, që nëse realizohet do të krijonte kushtet për një qeveri teknike.
Kushtetuta i njeh të drejtën Vetëvendosjes të propozojë edhe një tjetër emër për kryeministër në qeverinë teknike përveç z.Kurtit, në të kundërt e drejta i kalon forcës së dytë mazhoritare LDK-së.
G.K / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.