Kujt i takon vendimi për Brexit? – YouGov: Duhet ta marrë publiku, nëse negociatat dështojnë
Nëse negociatat për Brexit përfundojnë pa një marrëveshje, gjysma e britanikëve mendojnë se vendimi përfundimtarë për daljen apo jo nga Bashkimi Europian duhe të merret nga publiku nëpërmjet një referendumi. Ky është përfundimi i një sondazhi ndaj më shumë se 10,000 britanikëve nga YouGov.
Sondazhi zbuloi se shumica e të anketuarve favorizonin publikun në krahasim me qeverinë, për të vendosur nëse Britania do të qëndrojë apo dalë nga Bashkimi Europian pa marrëveshje.
Ndërkohë që më pak se 8 muaj kanë mbetur përpara divorcit, Kryeministrja Theresa May nuk ka gjetur ende një propozim për të ruajtur lidhjet ekonomike me bllokun, që kënaq partinë e saj dhe është i pranueshëm gjithashtu për Brukselin.
Ministri i Tregtisë në Britani, Liam Fox, paralajmëroi se shanset për të mos arritur një marrëveshje për Brexit janë rritur në 60%. Shqetësimet mbi perspektivën e këtij rezultati kanë goditur rëndë paundin.
Sondazhi, që u ndërmor në javën e parë të gushtit, zbuloi se 45% e votuesve mbështesin mbajtjen e një referendumi për mbylljen e negociatave, ndërsa 34% e kundërshtonin.
Pyetjes se kush duhet ta marrë vendimin për të dalë nëse negociatat dështojnë, 50% u përgjigjën për publikun dhe 25% për Qeverinë. May ka kundërshtuar prej kohësh mbajtjen e një referendumi tjetër për Brexit, duke thënë se publiku vendosi më datë 23 Qershor 2016.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.