‘Kutia e zezë’ gjigante që do të mbledhë të gjitha të dhënat klimatike për qytetërimet e ardhshme!

Sa herë që publikohen kërkime të reja për klimën, postohen lajme dhe informacione në rrjete sociale për një kuti gjigante çeliku të vendosur në një fushë graniti në shtetin australian të Tasmanisë i cili do t’i regjistrojë të gjitha.
Me muret e trasha të çelikut, ruajtjen e baterive dhe panelet diellore, zhvilluesit e “Kutisë së Zezë të Tokës” thonë se struktura me madhësi të një autobusi ndërqytetës do të jetë e pathyeshme për vetë krizën klimatike dhe ka për qëllim t’i mbijetojë njerëzimit.
Krijuesit e saj shpresojnë se kutia e zezë do t’u tregojë qytetërimeve të ardhshme se si njerëzimi krijoi krizën klimatike dhe se si ne dështuam ose ia dolëm ta trajtonim atë.
Ndërsa ndërtimi i kutisë nuk do të përfundojë ende deri vitin e ardhshëm, hard disqet kanë filluar tashmë regjistrimin e gjetjeve dhe bisedave të bazuara në algoritme që nga samiti i klimës COP26 në Glasgow, Skoci, në nëntor.
Monoliti i çelikut do të dokumentojë të gjitha bisedat dhe objektet e lidhura me klimën nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, duke përfshirë ndryshimet e temperaturës së tokës dhe detit, acidifikimin e oqeanit, sasinë e gazit serrë në atmosferë, popullsinë njerëzore, konsumin e energjisë, shpenzimet ushtarake, ndryshimet e politikave dhe më shumë.
Sipas prodhuesve të saj, kutia do të jetë e mbushur me disqe magazinimi dhe do të shkarkojë vazhdimisht të dhëna shkencore nga interneti, të cilat do të mundësohen nga panelet diellore të strukturës dhe ruajtja e baterive.
Zhvilluesit vlerësojnë se kutia e zezë ka kapacitetin për të ruajtur të dhëna të mjaftueshme për tre deri në pesë dekadat e ardhshme dhe po vazhdojnë kërkimet për të rritur aftësitë e saj të ruajtjes përtej arkivimit të historive dhe ngjeshjes së të dhënave.
Krijuesit janë ende duke u përpjekur të kuptojnë se kush do të jetë në gjendje të përdorë kutinë në një të ardhme të largët, pasi marrja e aksesit në të është projektuar të jetë e vështirë dhe do të kërkonte teknologji të avancuara.
Pasi të aktivizohet kutia e zezë, biblioteka e të dhënave klimatike do të bëhet e aksesueshme përmes një platforme online. Vizitorët do të jenë gjithashtu në gjendje të lidhen me valë me kutinë, e cila do të vendoset në një vend të largët midis Strahan dhe Queenstown në Tasmania.
Ndërsa kriza klimatike vazhdon, kutia mund të sigurojë një plan për një zgjidhje për shumë vite nga tani. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.