Lame: Situata në sistemin hartografik të Republikës është katastrofike
“Qytetarë, situata në sistemin hartografik të Republikës është katastrofike.” Kështu është shprehur kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame pas transmetimit të një kronike televizive mbi problematikat e pritjes së qytetarëve në sportelet e ZRPP në qytetin e Korçës.
Duke pranuar ekzistencën e kësaj problematike, Lame ka sjellë në qendër të vëmendjes edhe një tjetër problem me të cilin përballet zyra e Hipotekës në Korçë, atë të sistemit hartografik. Duke e ilustruar këtë përmes disa fotove, Lame shton se shteti shqiptar iu shërben qytetarëve me harta më shumë se 30 vjeçare.
“Kanë kaluar mbi 30 vjet që atëherë dhe, edhe pas tre dekadash, shteti shqiptar ju shërben qytetarëve me po ato copa letrash”, shkruan Lame.
Kreu i ALUZNI-t ka vijuar më tej se duhen të paktën tre vjet për të ribërë zyrat e tapive të shtetit, në mënyrë që qytetarët të mund të kenë një zyrë hipoteke të besueshme, të dixhitalizuar dhe me hartografi moderne.
“Qytetarë, u deshën 30 vjet për ta katandisur zyrën e tapive të shtetit, sa s’ka ku ta zërë qeni. Do na duhen të paktën tre vjet tani që ta ribëjmë nga themelitë dhe, në krye të mandatit, t’u japim shqiptarëve një zyrë hipoteke të saktë, të besueshme, të dixhitalizuar dhe me hartografi moderne.”
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.