Largimi i shqiptarëve – Ekspertët: Dëmton investimet e huaja
Burimet njerëzore janë një nga shqetësimet kryesore të investitorëve të huaj në Shqipëri. Eksperti dhe konsulenti Ilir Binaj shprehet se shumë investitorët potencialë frenohen në projektet e tyre nga fakti që në Shqipëri ka një mungesë të krahut të punës së specializuar dhe sidomos nga prirja në rritje e viteve të fundit e të rinjve për t’u larguar nga vendi.
Megjithëse Shqipëria ka avantazhe konkurruese për sa i takon kostove të punës, fakti që shumë shqiptarë nuk besojnë te një e ardhme në Shqipëri sjell pasiguri për të investuar në ngritjen e një force punëtore të qëndrueshme.
Sipas ekspertëve, bilancet e vitit 2016 treguan se përgjithësisht bizneset mbyllën një vit pozitiv, madje edhe më të mirë se parashikimet e tyre. Në këtë përmirësim duket të ketë ndikuar përtëritja e konsumit të brendshëm, çka ka rritur shitjet në shumicën e sektorëve ekonomikë.
Deri në këtë moment, ekspertët nuk konstatojnë një zbutje të kontrollit dhe trysnisë së administratës tatimore ndaj biznesit, me gjithë vitin elektoral. Madje, z.Binaj shprehet se në muajt e fundit kontrollet e organeve tatimore kanë qenë më të shpeshta dhe më intensive.
Sipas tij, konsolidimi i një kulture të tatimpaguesve do të kërkojë afate kohore relativisht të gjata dhe vijimësinë e masave për të siguruar uljen e evazionit, pavarësisht nga ndryshimi i pushtetit apo nga faktorë të tjerë të jashtëm. Rruga e duhur do të ishte një ekuilibër i qëndrueshëm mes masave nxitëse dhe atyre shtrënguese, ndërsa gërshetimi i shpeshtë fushatave të kontrollit me faljet fiskale mund të japë efekt negativ.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.