Premtimet për qytetarët, Rama: Rritje ekonomike, Braimllari: Shpresë për rininë
Rritja ekonomike dhe rritja e numrit të punësuarve kanë qenë kryefjala e Kryeministrit Rama në një takim me banorët e Kasharit.
Rama është shprehur se ashtu si luftuan për Vettingun dhe për reformën në drejtësi me të njëjtën vendosmëri do të luftojnë edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Siç luftuam dhe fituam për Vettingun, do të luftojmë e fitojmë për të rritur ekonominë dhe punësimin si asnjëherë më parë. Kemi bërë shumë. Më shumë akoma mbetet për të bërë”.
Ndërsa Partia Lëvizja Socilaliste për Integrim ka zhvilluar një takim me qytetarët e Kavajës.
Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari nënvizoi rëndësinë që ka rinia në programin politik të kësaj force. Sipas tij, fokusi i LSI-së është rinia në mënyrë që t’i japin një shans dhe shpresë të rinjve të vendit.
“Fokusi i LSI-së te rinia është për t’i dhënë shpresën dhe energjinë Shqipërisë dhe Kavajës, sepse të rinjtë dhe të rejat meritojnë një shans më shumë, ndaj LSI është një shans më shumë për të rinj dhe të rejat”, tha Braimllari, duke shtuar se falë pasionit që LSI-ja ka për t’i shërbyer vendit dhe të rinjve do të dalë forcë e parë politike në zgjedhjet e ardhshme.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.