Llogaria korrente e Gjermanisë- Suficiti vjen prej konkurrueshmërisë, pritet të tkurret në 2018

Ministria e Financave në Gjermani raporton se suficiti i madh i llogarisë korrente vjen prej konkurrueshmërisë së ekonomisë vendase dhe se Qeveria nuk ka influencë në të. Administrata e re në Shtetet e Bashkuara e ka akuzuar Gjermaninë për shfrytëzimin e euros së dobët që të fitojë avantazh tregtar dhe ka bërë thirrje që të reduktohet suficiti tregtar mes vendeve.
Ministria e Financave tregoi në raportin mujor se rritja e konsumit privat, normalizimi i politikave monetare nga Banka Qendrore Europiane, si dhe faktorët demografikë, kanë gjasa të tkurrin suficitin e llogarisë korrente të Gjermanisë.
“Suficiti vjen prej shumë faktorësh. Mbi të gjitha është rezultat i konkurrueshmërisë së ekonomisë gjermane. Llogaria korrente nuk kontrollohet nga shteti dhe veprimet politike dhe ekonomike do të ishin të limituara”, thekson Ministria e Financave.
Raporti tregon se llogaria korrente, që qëndroi në 8.3% të outputit në 2016-ën, do të bjerë në 8% deri në vitin 2018. Komisioni Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kanë bërë thirrje Gjermanisë që të përfitojë nga kostot e ulëta të huamarrjes për të rritur investimet, gjë që do të reduktonte suficitet e mëdha të vendit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.