“LME” pezullon dërgesat e metaleve ruse – Mund të magazinohen vetëm eksportet nga Rusia përpara datës 25 mars

Bursa e Metaleve në Londër ka pezulluar dërgesat e disa prej prodhuesve rusë të metaleve në magazinat e saj në Britani. Platforma, e cila është në pronësi të Bursës së Hong Kongut, deklaroi se kishte rrezik të konsiderueshëm që dikush të merrte këto metale nga magazinat në Britani, pasi do të goditej nga kosto shumë të larta. Qeveria britanike vendosi tarifa shtesë prej 35% për importet nga Rusia të bakrit, plumbit, aluminit dhe nënprodukteve të tjera, duke filluar nga 15 marsi.
Disa anëtarë të Bursës së Metaleve në Londër kanë bërë thirrje për ndalimin e metaleve në sistemin e saj, por bursa më e madhe dhe më e vjetër në botë në tregtimin e metaleve deklaroi se nuk do të shkojë përtej asaj që diktojnë sanksionet e qeverisë britanike ndaj Rusisë.
Alumini i prodhuar nga kompania Rusal dhe bakri i prodhuar nga kompanitë Norilsk Nickel dhe JSC Uralelektromed mund të dërgohen në magazinat e miratuara në Britani vetëm nëse janë eksportuar nga Rusia përpara datës 25 mars. Britania ka dy vendndodhje të miratuara për magazinimin e metaleve, njëra në Hull dhe tjetra në Liverpool, por aktualisht kanë shumë pak metale në gjendje.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.