Mallrat turke fitojnë terren në Shqipëri – Importi favorizohet nga marrëdhëniet mes bizneseve

Turqia po bëhet gjithmonë e më tepër një burim i rëndësishëm për mallrat që hyjnë në vendin tonë. Vitin e kaluar vlera e importeve arriti në 50.7 miliardë lekë, një rritje me 54,3% krahasuar me 2013-ën.
Ky trend rritës po vijon edhe gjatë vitit 2018 dhe tashmë Turqia ka konsoliduar pozitat në vendin e dytë për importe, duke lënë pas partnerë si Gjermania dhe Greqia.
Mallrat me origjinë nga ky vend që dominojnë në tregun vendas janë kryesisht veshjet dhe këpucët, produktet kimike dhe plastike, si dhe ushqimet e pijet.
Duket se arsyeja e shtimit të prezencës së produkteve “Made in Turkey” është leverdia e importuesve shqiptarë, të cilët po forcojnë lidhjet me partnerët turq, që kanë produkte të lira dhe kanë një itinerar më afatshkurtër për transportin e këtyre mallrave se sa mallrat e prodhuesve nga Kina.
Pikërisht në një nga portalet ku bizneset krijojnë lidhje mes tyre, “Turkish Exporter”, SCAN ka vënë re një rritje të frekuencës së postimeve nga sipërmarrjet shqiptare. Vetëm gjatë këtij viti janë 57 biznese që kanë aplikuar për të gjetur prodhues nga Turqia.
Kërkesa përfshin gjithçka, duke nisur nga veshjet, produktet farmaceutike, produktet kozmetike e deri tek mallra më specifike si makineri, tjegulla qeramike dhe pelena për fëmijë.
Nga ana tjetër, mallrat “Made in Albania” janë gjithmonë e më të kufizuar në tregjet turke. Vlera e eksporteve shqiptare në Turqi ra nga 10 miliardë lekë në vitin 2014, në vetëm 2.1 miliardë lekë vitin e kaluar, duke zgjeruar edhe më tej deficitin tregtar me Turqinë.
Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se ky trend po vijon edhe gjatë këtij viti duke ndjekur një raport prej 35 eurosh në vlerë mallrash të importuar, për çdo 1 euro që fitohet nga eksporti drejt Turqisë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.