Mbikëqyrja e konsoliduar, BSH miraton rregulloren e re

Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë mbikëqyrje të konsoliduar të institucioneve financiare të lidhura me njëra-tjetrën apo që ndodhen nën ombrellën e një grupi të vetëm bankar apo financiar.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar rregulloren që parashikon se kërkesat rregullatore, qofshin sasiore apo cilësore, duhet të respektohen jo vetëm individualisht për institucionet e mbikëqyrura, por për të gjithë grupin financiar.
Kjo do të vlejë, në radhë të parë, për treguesit më të rëndësishëm mbikëqyrës, ata të kapitalizimit. Kapitali rregullator do të llogaritet mbi bazën e të dhënave të pasqyrave financiare të konsoliduara të grupit bankar.
Mbikëqyrja e konsoliduar vjen si përgjigje ndaj zhvillimeve të viteve të fundit, kur, sidomos bankat kanë zgjeruar aktivitetin përmes investimit edhe në institucione të tjera financiare, si për shembull shoqëri të qirasë financiare, kompani sigurimesh apo fonde investimi.
Gjithashtu, mbikëqyrja e konsoliduar është e rëndësishme edhe për aktivitetin e degëve që zhvillojnë aktivitet jashtë vendit.
Rregullorja parashikon se Banka e Shqipërisë mund të kufizojë apo mbyllë aktivitetin e degëve të grupit bankar jashtë vendit, në rastet kur gjykohet se kjo është e domosdoshme për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e aktivitetit mbizotërues në Shqipëri, apo kur vlerësohet se mbikëqyrja e aktivitetit jashtë vendit nuk mund të kryhet në mënyrë optimale. Aktualisht, bankat shqiptare nuk kanë aktivitet të përmasave të mëdha jashtë vendit.
“Banka Kombëtare Tregtare” ka një degë të vetën në Kosovë, ndërsa ish-“Banka Amerikane e Shqipërisë”, sot “Intesa Sanpaolo”, i ka mbyllur prej vitesh degët e saj në Greqi.
Zgjerimi në rajon ka qenë pjesë e strategjive të disa bankave shqiptare, por, pas krizës financiare, ato u tërhoqën. Rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë do të hyjë në fuqi në 1 dhjetor të këtij viti.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.