Mblidhen krerët e bankave qendrore – Sejko: Ekonomia shqiptare trend pozitiv rritje
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, merr pjesë në takimin e Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit, takim ky që filloi më datën 2 prill e do të përfundojë në datë katër prill ka bërë bashkë drejtuesit e bankave qendrore të 24 vendeve anëtare të Klubit.
Diskutimet u bazuan në sfidat e ndryshme me të cilat përballen sot bankat qendrore në përmbushjen e objektivit të tyre për ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve dhe stabilitetit financiar, si dhe evidentimin e mekanizmave të politikave makroekonomike, financiare dhe strukturave ekonomike më të përshtatshme për të rritur rezistencën ndaj goditjeve të ndryshme.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë këtij takimi mbajti një prezantim për të pranishmit me temë “Politikat optimale mikse në mjedisin aktual: mësimet e nxjerra nga masat e zbatuara gjatë krizës”.
Guvernatori Sejko solli në vëmendje të pjesëmarrësve, se vendet e Ballkanit Perëndimor pavarësisht se në periferi të krizës botërore, i ndjenë efektet e saj, në forma të tilla si frenimi i aktivitetit ekonomik, shoqëruar kjo shpeshherë dhe me një sërë problemesh strukturore. Më tej, Guvernatori u shpreh se ndonëse ekzistuan debate mbi përshtatshmërinë dhe efikasitetin e instrumenteve të përdorura nga bankat qendrore për përballimin e krizës, këto instrumente arritën të shmangin pasojat e mëtejshme dhe gradualisht, të krijojnë premisa për rikthimin e trendit të rritjes.
Guvernatori theksoi se si një vend tipik i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ndodhet në një stad të ngjashëm zhvillimi me vendet e tjera të rajonit dhe se ekonomia shqiptare tashmë ndodhet në një trend pozitiv ku rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim progresiv.
Në përfundim, Guvernatori Sejko nënvizoi se Banka e Shqipërisë nëpërmjet ushtrimit të rolit të saj në ekonomi, njëkohësisht si nxitës dhe rregullator ka dhënë kontributin e nevojshëm në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.