Mbyllet aksioni i furrave gëlqerore në Krujë – Klosi: Përgjegjësi penale për inspektorët që lejojnë rikrijimin e tyre

Ka përfunduar aksioni për mbylljen e gropave gëlqerore në zonën e Krujës. I pranishëm në mbyllje të këtij operacioni, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili ka paralajmëruar inspektorët e mjedisit që të kontrollojnë vazhdimisht për të ndaluar tentativat e krijimit të gropave të reja gëlqerore.
“Fakti që nuk ka sot asnjë furrë gëlqereje, nuk do të thotë që nuk do të ketë tentativa të tjera, por për këtë ne jemi të mirëangazhuar që inspektorët e mjedisit, të rendit dhe agjencisë së zonave të mbrojtura të jenë gjithmonë në terren dhe të kontrollojnë në vazhdimësi nëse do të ketë tentativë për të krijuar gropa të reja gëlqereje”, tha ministri Klosi.
Ndërsa deklaroi se beteja kundër ndotësve të mjedisit do të vijojë dhe kontrollet do të ashpërsohen, kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të informuar çdo tentativë për rikrijimin e tyre.
“Nga sot, ne do të kemi kontroll të rreptë të territorit, por pa qytetarët kjo punë do të jetë e vështirë të realizohet. Megjithatë, inspektorët do të mbajnë përgjegjësi penale, nëse do të ketë një gropë gëlqereje në këtë zonë. Për sa i përket atyre që na kritikojnë, atyre që protestojnë sot, jemi këtu në Zgërdhesh, në një nga 100 fshatrat, një nga zonat që vjet me vendim qeverie ne e kemi shpallur zonë të mbrojtur, ndërsa paraardhësit tanë në pushtet, pra partia demokratike e shpalli zonë industriale dhe gjithë kjo zonë sipas vendimmarrjes së qeverisë së kaluar do të ishte bërë një kantier i madh ndërtimi”, u shpreh Klosi.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.