Meta kthen “tenderat për pandeminë” – Presidenti miraton faljen e gjobave, nuk dekreton ligjin për prokurimet: I padrejtë e jo-transparent
Presidenti i Republikës ka vendosur të mos dekretojë dhe të kthejë për shqyrtim në Kuvend Ligjin për prokurimet publike për produktet dhe shërbimet e nevojshme për përballimin e Pandemisë. Sipas Presidentit, Ligji përmban një seri problematikash dhe hapësirash që mund të përdoren për qëllime klienteliste apo korruptive.
“Mungesa e një procedure të hapur, e kombinuar me mospërcaktimin e qartë të fushës së veprimtarisë së këtij ligji, dhe mundësinë që ky ligj i ri ofron për të kufizuar rrethin e subjekteve, krijon hapësirë që çdo autoritet kontraktor të përzgjedhë paraprakisht, sipas vullnetit të tij, fituesin e një procedure ende të pa shpallur. Pikërisht kjo, bie ndesh me parimet kushtetuese të sipërcituara”, argumenton Presidenti në dokumentin ku sqaron arsyet për mosdekretimin e Ligjit.
Më tej, Presidenca nënvizon se Mungesa e qartë e rrethit të mallrave dhe shërbimeve që duhet t`i nënshtrohen procedurave të prokurimit sipas këtij ligji, bën që mallra apo shërbime të caktuara, edhe pse nuk lidhen direkt me fushën e mbrojtjes e të sigurisë, të rrezikojnë të prokurohen sipas këtij ligji, duke bërë që ky ligj në këtë drejtim të jetë i padrejtë, arbitrar, dhe të mos justifikojë dot kufizimin e mundësive të operatorëve ekonomikë për të ofertuar në të tilla procedura.
Ndërkaq, më herët, po të hënën Presidenti ka dekretuar Aktin Normativ të Qeverisë që vendos faljen e gjobave të vendosura gjatë javëve të para të Pandemisë për shkelje të karantinës apo të rregullave të qarkullimit me automjete. Deri më datë 17 prill forcat e rendit ekzekutuan rreth 7000 gjoba për këmbësorë e rreth 1900 gjoba për shoferët me bllokim mjeti e heqje patente për 3 vjet. Akti Normativ parashikon shuarjen e plotë të tyre dhe kthimin e shumave në rastet kur ato janë shlyer nga qytetarët.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.