Sektori bankar, kapitalizim rekord – Raporti i mjaftueshmërisë arriti në 19.1% në fund të marsit

Kapitalizimi i sistemit bankar ka arritur një nivel rekord në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit mars raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 19.1%, niveli më i lartë i regjistruar në serinë e statistikave të viteve të fundit të bankës qendrore.
Rritja e kapitalizimit të bankave lidhet edhe me rezultatet e mira financiare, por faktori me ndikimin kryesor ka qenë forcimi i kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë. Duke filluar nga muaji mars, kanë hyrë në fuqi shtesat e para makroprudenciale të kapitalit. Këto shtesa kanë si qëllim të shtojnë aftësinë përthithëse ndaj goditjeve eventuale në të ardhmen, sidomos për bankat me rëndësi sistemike. Shtesat makroprudenciale iu mbivendosen kërkesave standarde të kapitalizimit të bankave. Shtesat makroprudenciale ndahen në katër kategori, ku një pjesë do të jenë fikse, ndërsa një pjesë do të jenë proporcionale me rëndësinë e bankës dhe me ritmet e huadhënies. Shtesa e parë, që do të aplikohet nga marsi i këtij viti, është shtesa konservuese e kapitalit dhe do të jetë e detyrueshme për të gjitha bankat, pavarësisht nga madhësia e tyre. Shtesa konservuese do të jetë me 0.5% në vit deri në në arritjen e një rritjeje maksimale prej 2.5% në vitin 2024.
Shtesa tjetër ka përfshirë vetëm një grup të veçantë bankash, ato me rëndësi sistemike. Banka e Shqipërisë ka përcaktuar pesë banka me rëndësi sistemike, që janë njëkohësisht edhe më të mëdhatë në vend. Për secilën prej tyre është përcaktuar një shtesë kapitali në raport me rëndësinë sistemike specifike të secilës.
Kriza e rëndë ekonomike që solli epidemia e Covid-19 pritet të japë pasojat e saj edhe në sektorin bankar gjatë tremujorëve të ardhshëm. Megjithatë, lajmi i mirë është se kjo kriza u shfaq pasi sistemi ka absorbuar pasojat e krizës së gjatë financiare dhe gjendet në pozita të mirë përfitueshmërie dhe kapitalizimi.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.