Ministrat nuk njohin Kodin e Etikës! – Nuk zbatojnë rregullat për integritetin, konfliktet e interesit, lobimet, apo dhuratat
Në raportin e vet më të fundit Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit konkludon se ministrat në Shqipëri nuk njohin Kodin e Etikës, nga I cili rrjedh edhe detyrimi për të ndenjur larg shkeljeve të ligjit që kanë të bëjnë me integritetin, konfliktet e interesit, lobimet, apo dhuratat. Sipas raportit, asnjë informacion nuk u nda në lidhje me funksionimin e Komisionit të Etikës dhe rezultatin e punës së tij gjatë takimeve të grupeve të punës së Grupit në Shqipëri për të vlerësuar çështjet e korrupsionit në vend. Profesorë të së drejtës që u takuan me të dërguarit e Grupit Kundër Korrupsionit por nuk kishin dijeni për ekzistencën e këtij Kodi. Prandaj, Grupi, pyet veten nëse ky tekst thelbësor, i botuar në Fletoren Zyrtare në shtator 2013, është vënë në dijeni të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe zbatohet siç duhet, dhe nëse Komisioni i Etikës mblidhet rregullisht, shqyrton çështjet dhe merr vendime disiplinore.
Autoritetet i konfirmuan përfaqësuesve të Grupit që këshilltarët politikë ishin të trajtuar në rregullat që zbatohen për nëpunësit publikë, siç përcaktohet veçanërisht në Ligjin 9131/2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike” dhe ligje të tjera (shih paragrafin 38 më lart). Megjithatë, ashtu si në rastin e ministrave, asnjë informacion mbi zbatimin praktik të kuadrit normativ nuk u nda me përfaqësuesit e Grupit kundër korrupsionit, për shembull sa shpesh njësitë e personelit të institucioneve të administratës publike marrin kërkesa nga këshilltarët politikë për këshilla në rast të dilemave etike ose sa shkelje të kuadrit normativ janë konstatuar.
Në raport, Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit nënvizon nevojën për të mbështetur anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe këshilltarët politikë për arritjen e standardeve të integritetit dhe, në të njëjtën kohë, për të informuar publikun mbi sjelljen që mund të presin prej tyre. Prandaj, GRECO rekomandon që i) Kodi Etik Ministror ekzistues të plotësohet me udhëzime konkrete për zbatimin e tij në lidhje me konfliktin e interesit dhe çështje të tjera të lidhura me integritetin (p.sh. dhuratat, kontaktet e palëve të treta, lobimet etj); ii) të sigurohet funksionimi efektiv i Komisionit të Etikës, ose ndonjë mekanizëm tjetër i besueshëm i mbikëqyrjes dhe sanksioneve, sidomos në lidhje me Kryeministrin, dhe iii) rregullat etike të plotësohen me shembuj ilustrues dhe mekanizmat e zbatimit për këshilltarët politikë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.