Ministria e Mbrojtjes, tender për sigurimin shëndetësor për personelin jashtë vendit
I gjithë personeli i Ministrisë së Mbrojtjes që shërben në përfaqësitë ushtarake të Shqipërisë jashtë vendit do të përfitojë sigurim të plotë shëndetësor. Ministria ka hapur procedurat e tenderit me një fond limit prej 53.4 milionë lekësh për mbulimin një-vjeçar me sigurim shëndetësor.
Në total janë 250 persona që do të përfshihen në skemë, të ndodhur në 18 shtete të ndryshme, ku pjesa më e madhe (107) shërben në Belgjikë, ku janë dhe zyrat qendrore të NATO.
Sigurimi shëndetësor mbulon 100% pothuajse të gjitha shpenzimet për trajtimin, kurimin dhe kujdesin e të siguruarve. Po ashtu, i përfshirë në kontratë do të jetë dhe trajtimi dentar dhe përfitime të tjera mjekësore. Maksimumi i përfitimit për një person kap vlerën e 150 mijë eurove.
Ndër shtetet e tjera ku ka një prezencë të madhe të personelit shqiptar është edhe Italia, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia. Stafi i Ministrisë së Mbrojtjes jashtë atdheut dominohet nga gratë dhe vajzat (130), ndërkohë që sipas grupmoshave ka një numër më të lartë të personave nën 18 vjeç, pra familjarët e personelit ushtarak.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.