Miratohet rikonstruksioni i ish repartit Renea dhe tre objekteve të tjera – Këshilli i Ministrave cakton fondin prej 131 milion lekësh

Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në Fletoren Zyrtare është bërë me dije se Këshilli i Ministrave ka vendosur përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të objekteve të ish-repartit “Renea”, Drejtorisë dhe forcës së posaçme operacionale, Linzë, Bashkisë Tiranë, dhe caktimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si njësi zbatuese.
Referuar njoftimit Këshilli i Ministrave ka vendosur:
- Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të objekteve të ish-repartit “Renea”, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Linzë, Bashkia Tiranë, në masën 263 752 795 (dyqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH.
- Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i shtohet fondi në masën 131 876 397 (njëqind e tridhjetë e një milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të objekteve, sipas pikës 1, të këtij vendimi.
- Caktimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si njësi zbatuese për rikonstruksionin e objekteve të ish-repartit “Renea”, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Linzë, Bashkia Tiranë.
- Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.