Rama për shërbimet digjitale: “E-albania shembull suksesi. Jemi lider në rajon. Në mandatin e tretë transformojmë të gjitha institucionet”

Kryeministri Rama ka bërë prezantimin e programit të Partisë Socialiste 2021-2025, në fushën e Shërbimeve Digjitale për Qytetarët. Sipas kryeministrit, një sukses i kësaj qeverie është platforma e-albania që ka digjitalizuar 95% të shërbimeve që më përpara kryheshin në mënyrë fizike në zyrat e administratës duke krijuar radhë, korrupsion dhe burokraci.
“1% ishin shërbime online deri para 7 vjetësh. 95% janë sot, por shikoni çfarë ndryshimi. Kur ne e kemi filluar revolucionin digjital kemi numëruar gjithsej 51 mijë aplikime. Çfarë janë 51 mijë aplikime për shërbime kryesisht të pamarra asokohe, aplikime të mbetura në icloud në krahasim me 7.7 milionë aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë”, tha Rama.
Shefi i qeverisë u ndal edhe te biznesi ku u shpreh se është kryer revolucion në këtë drejtim ku vetëm nëpërmjet një ndalesë mund të plotësohen të gjitha dokumentet që duhen sipas tij në raport me shtetin dhe ku përmendi si reformë kryesore, fiskalizimin, që çdo transaksion e kthen online.
Në mandatin e tretë, nëse Partisë Socialiste i besohet sërish një e tillë, kryeministri Rama ka deklaruar se revolucioni do të vijojë në fushën digjitale për shërbimin e qytetarëve duke u shtrirë edhe në sektorë të tjerë, ku më sfiduesja sipas tij mbetet ajo e pronave:
“Ne duam që certifikatat e pronësisë, vërtetimet, kartelat e pasurisë, që jepen sot me vulën elektronike, falë dixhitalizimit të 1.7 milionë pronave të shqiptarëve, të jepen për të gjitha pronat. Marrja e përgjigjes online me nënshkrim, vulë elektronike për të gjitha shërbimet në e-albania që janë aplikime, është objektiv i mandatit të tretë.” tha Rama.
Gjithashtu e pranishme në prezantimin e programit ishte edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj është shprehur se nëse nuk do të ishte e-Albania, pandemia nuk do të ishte përballuar ashtu siç ndodhi. Ajo u shpreh se në të ardhmen do mundësohet edhe marrja e certifikatës së vaksinimit, e ndërsa tha se plani është digjitalizimi i të gjitha institucioneve.
“Qytetarët pas vaksinimit mund të marrin në E-albania sipas standardeve pasaportën për të udhëtuar, lejet dhe licencat merren online, dogana shqiptare i është bashkuar revolucionit, të gjitha shërbimet doganore merren në letër.
Shërbimet e transportit janë lehtësuar, një patentë sot merret brenda ditës, do të ketë bileta online për qytetarët që do të marrin online oraret dhe vendodhjen e autobusëve. Të moshuarit trajtohen me dinjitet se nuk stërmundohen për një dokument në zyra për pensionet. 38 shërbime të dedikuara për emigrantët, kemi bërë punë të jashtëzakonshme, por nuk është asgjë me atë që do të bëjmë, Plani ynë i veprimit do të garantojë një të ardhme të drejtë, do të digjitalizojmë arkivat e institucioneve, do bëjmë të mundur që çdo shërbim të bëhet me vulë elektronike, qytetari dhe biznesit do të komunikojë direkt me shtetit“, tha Karçanaj.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.