Monedha përkujtimore e Brexit – Do të hyjë në qarkullim ditën që Britania do të dalë nga BE
Qeveria britanike prezantoi një monedhë të re 50 pensë për të shënuar daljen e vendit nga Bashkimi Europian më 31 Janar.
Monedha mban mbishkrimin “paqe, prosperitet dhe miqësi me të gjitha kombet” dhe në fund ndodhet data e Brexit, 31 Janar 2020.
“Dalja nga Bashkimi Europian përbën një pikë të kthesës në historinë tonë dhe kjo monedhë shënon nisjen e një kapitulli të ri”, tha Ministri i Financave, Sajid Javid.
Ministria e Financave ka shtyrë dy herë prezantimin e monedhave përkujtimore të Brexit, ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar ka kërkuar të vonojë ditën e daljes nga Bashkimi Europian, si pasojë e mungesës së një marrëveshjeje apo një konsensusi në parlament për mënyrën e divorcit.
Mbi 3 milionë monedha të tilla do të hyjnë në qarkullim në të gjithë Britaninë në muajin Shkurt dhe 7 milionë të tjera do të shtohen më vonë gjatë vitit. Periudha e tranzicionit ku Britania dhe Bashkimi Europian do të negociojnë kushtet përfundimtare të marrëveshjes së divorcit pritet të zgjasë deri në fund të 2020-s.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.