Moody’s kthen Turqinë në “negative” – “Ndërhyrja e Bankës Qendrore te rezervat ka cënuar kreditin”
Agjencia e Vlerësimit të Kreditit Moody’s, uli vlerësimin për Turqinë në “negativ” në nisje të javës, prej lëvizjeve të Bankës Qendrore për të mbështetur valutën, që ngriti në dyshim pavarësinë e institucionit. Javën e kaluar, Banka e Turqisë bëri të ditur se rezervat në ar dhe valutë të huaj ranë me më shumë se 2 miliardë dollarë në javën që përfundoi më 22 Mars. “Rënia në rezerva tregon se banka qendrore ka ndërhyrë në tregun lokal të këmbimit valutor për të mbështetur lirën, përpara zgjedhjeve”, deklaroi Moody’s.
Agjencia bëri të ditur se lëvizja për të prekur rezervat përpara zgjedhjeve vë në dyshim transparencën e institucioneve të Turqisë. “Ndërhyrja për të mbështetur lirën bën kontradiktë me politikën e bankës qendrore për të lejuar një kurs të lirë të këmbimit dhe ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe pavarësinë e bankës qendrore, si dhe rrjetin institucional të Turqisë”, deklaroi Moody’s.
Agjencia shtoi se rezervat neto dhe bruto qëndrojnë në nivele tejet të ulëta dhe prekja e këtyre niveleve rrit më tej cënueshmërinë e jashtme të Turqisë. “Trazirat e reja në tregjet financiare dhe rritja e pasigurisë mbi vështirësitë ekonomike, shtojnë rrezikun e daljes së kapitalit”, përfundoi Moody’s.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.