Mundësi të reja investimi – Hoxha: “ALSE” vjen në momentin e duhur financiar

Hapja e bursës private “ALSE” do të ofrojë mundësi të reja për investime, jo vetëm për kompanitë shqiptare por edhe për individët. Deklarata vjen nga eksperti i ekonomisë, Artan Hoxha, i cili thotë për Televizionin SCAN, se kjo mundësi u ka munguar deri më sot strukturave nxitëse për investimet kapitale.
“Do ofrojë mundësi të reja për investime, për kompanitë shqiptare por edhe për individët e ndryshëm, mundësi e cila i ka munguar tregut shqiptar dhe strukturave nxitëse dhe mbështetëse për strukturat kapitale. Fakti që ka një nismë private konkurrenciale për të hapur bursën e parë shqiptare efektive nga kompani private, institucione financiare tashmë të konsoliduara në tregun financiar shqiptar, besoj që është një lajm i mirë, një mundësi e mirë për të gjithë operatorët, të cilët do të duan që surpluset e tyre kapitale t’i investojnë në alternativa të reja brenda tregut shqiptar, brenda ekonomisë shqiptare dhe jo vetëm në ekonomi të tjera siç ka bërë një pjesë e operatorëve ekonomikë shqiptarë, apo një pjesë e kursimeve të shqiptarëve, të cilat janë investuar në tregjet kapitale ndërkombëtare”, tha Hoxha.
Sipas Hoxhës, bizneset shqiptare kanë një eksperiencë të krijuar në tregje ndërkombëtare, çka do të thotë se do të listohen edhe në bursën e parë private në Shqipëri.
“Besoj që shumë biznese shqiptare kanë qenë edhe me investime të tyre në tregjet ndërkombëtare, përmes bankave apo pavarësisht prej tyre, dhe besoj se është fituar një eksperiencë e tillë. Në llogari të fundit ne do të kemi një ofertë dhe një kërkesë. Do të kemi kompani që do të kërkojnë të listohen në bursë për të mbledhur kapitale për të investuar në projektet e tyre dhe do të kemi pastaj njerëz apo kompani, që kanë surpluse financiare të momentit, që do të duan të investojnë”, shtoi Hoxha.
Sipas ekspertit të ekonomisë, hapja e bursës ‘ALSE’, vjen në një situatë të përshtatshme financiare.
“Jemi në një moment të përshtatshëm. Mund të kishte qenë dhe më parë një nismë e tillë, por mesa duket gjërat kanë nevojë edhe për kohën e tyre për t’u pjekur. Dhe kush më mirë se sa vetë nismëtarët e kësaj burse e dinë që momenti është i duhuri, pasi jo më kotë e kanë marrë këtë nismë. Dhe këtu nuk bëjmë fjalë për njerëz dhe për institucione financiare të paditura, përkundrazi bëjmë fjalë për institucione financiare dhe stafe drejtuese të tyre, të cilët e njohin shumë më mirë se shumëkush nga ne situatën financiare të kompanive dhe individëve, dhe mesa duket kanë arritur në konkluzionin që edhe ofertat dhe kërkesa ekziston, ndaj duhet instrumenti t’i bashkojë”, u shpreh Hoxha.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.