Projeksionet e JPMorgan për dollarin – “Do të rimëkëmbet në pjesën tjetër të vitit nga lëvizjet e FED”

Banka amerikane, JPMorgan, bën të ditur se dobësia e fundit e dollarit mund të jetë e përkohshme, për shkak se rritja e inflacionit dhe vazhdimi i ciklit tkurrës monetar nga Rezerva Federale, do të mbështesin valutën e gjelbër në muajt që vijnë.
“Presim që dollari të rimëkëmbet në gjysmën e dytë të vitit dhe kjo do të vijë kryesisht për shkak të projeksioneve të tregjeve financiare për rritjen e normës së interesit”, deklaron njësia e manaxhimit të aktiveve e JPMorgan.
Dollari amerikan ra në nivelet më të ulëta në 10 muaj në fillim të kësaj jave, për shkak se paketa shëndetësore e republikanëve, që synon zëvendësimin e Obamacare, nuk fitoi mbështetjen e duhur.
Dështimi për të vazhduar me reformat në kujdesin shëndetësor tregon se, përpjekjet e tjera të Donald Trump, si rregullimi i kodit tatimor dhe zbatimi i stimujve fiskalë, mund të përballën gjithashtu me vështirësi.
Disa mbikëqyrës të tregjeve kanë thënë se, dobësimi i valutës së gjelbër mund të nxisë të ardhurat e kompanive që listohen në indeksin S&P 500 dhe të justifikojë vlerësimin e lartë të tyre.
Megjithatë, analistët e JPMorgan thonë se tregjet e kapitalit jashtë Shteteve të Bashkuara, si Europa dhe Japonia, kanë një perspektivë më të mirë.
Sipas bankës amerikane, marzhet në Europë po përmirësohen gjë që do të përkthehet në rritje më të fortë të të ardhurave në kontinent.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.