Mustafa: Aeroporti i Gjakovës së shpejti do të jetë në funksion
Kryeministri Isa Mustafa tha se Aeroporti i Gjakovës është një aset shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Gjakovës e të Kosovës, i cili nuk duhet të mbahet në pasivitet.
Kryeministri Mustafa, vizitoi të premten Aeroportin e Gjakovës, në të cilën u prit nga kryeshefja ekzekutive e Aeroportit, Vlora Gojani, anëtarët e bordit dhe të ekzekutivit.
“Ju i shihni këto pajisje që kanë një vlerë shumë të veçantë dhe është keq që janë jashtë përdorimit. E kemi një pistë të shkëlqyeshme të aeroportit, një ambient i cili është tepër i mirë për Kosovën, por edhe për zhvillimin ekonomik të Gjakovës. Ne u morëm vesh që të punojmë të gjithë së bashku, edhe ministritë përkatëse, edhe agjencitë qeveritare, por edhe Komuna, bordi dhe menaxhmenti i këtij aeroporti në mënyrë që t’i gjejmë alternativat më të mira sa më shpejt”, tha kryeministri para mediave të pranishme, raporton Zeri.
Kryeministri Mustafa po ashtu tha se Qeveria do të marrë për obligim që të sigurojë financimin që bordi, menaxhimet dhe punonjësit të cilët merren me administratën dhe me sigurinë e saj të vazhdojnë dhe të kenë mundësi që të punojnë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.