Nafta bie lehtë – Humbjet kufizohen nga tensioni Arabi-Irani
Çmimet e naftës po qendrojnë në rënie të lehtë në sesionin e parë të kësaj jave, por humbjet po kufizohen nga rritja e tregut të aksioneve dhe nga përshkallëzimi i tensionit mes Arabisë Saudite dhe Iranit.
Tregjet globale të aksioneve u rimëkëmbën nga niveli më i ulët në gjashtë javët e fundit, për shkak të optimizimit se Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të fillojnë bisedimet për tregtinë, duke larguan frikën për një luftë tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 70.3 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 65.6 dollarë për fuçi. Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump firmosi një memorandum për të vendosur tarifa shtesë prej rreth 60 miliardë dollarë produkte kineze.
Çmimet po gjejnë një mbështetje edhe nga tensioni në Lindjen e Mesme. Mbrojtja ajrore saudite rrëzoi shtatë raketa balistike, të lëshura nga milicia Houthi në Jemen, që mbështetet nga Irani. Këto raketa kishin si objektiv kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rihadin.
Analistët mendojnë se, tensionet gjeopolitike mund të bëjnë që nafta Brent e Londrës të qendrojë mbi 70 dollarë për fuçi. Në anën tjetër, çmimet po gjenden nën presion për shkak të rritjes së numrit të aktivitetit të shpim-kërkimit në Shtetet e Bashkuara.
Kompanitë amerikane të energjisë e rritën me 4 njësi numrin e puseve aktive, në totalin e 804 puseve, niveli më i lartë në tre vitet e fundit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.