Nafta bie nga nivelet rekord të javës – Investitorët mbyllin pozicionet për të marrë fitim. Inventarët në SHBA, në rritje

Nafta është tregtuar në rënie në ditën e fundit tregtare, pasi u rrit në nivelet më të larta në 7 vite gjatë javës, ndërkohë që investitorët mbyllën pozicionet për të marrë fitim dhe inventarët në Shtetet e Bashkuara u rritën sipër pritshmërive. Megjithatë, humori ka qëndruar pozitiv për shkak të shqetësimeve mbi ofertën e tkurrur dhe problemet gjeopolitike. Nafta Brent e Londrës ra me 1.1% në 87.38 dollarë për fuçi. Kontrata humbi rreth 3% më herët, që ishte rënia më e madhe që prej 20 Dhjetorit.
Një ditë më parë, çmimi referencë i Londrës preku 89.5 dollarë për fuçi, që ishte niveli më i lartë që prej Tetorit 2014. Nafta bruto amerikane ra me 1.45 në 84.39 dollarë për fuçi. Çmimi referencë në SHBA (ËTI) ra me 3.2% më herët gjatë tregtisë, gjithashtu rënia më e madhe që prej 20 Dhjetorit. Rritja e fundit e çmimeve të naftës duket se shteroi në tregtinë e ditës së Enjte, kur të dy çmimet referencë botërorë e përfunduan ditën me humbje të vogla.
Megjithatë, të dy kontratat, kanë shtuar mbi 10% deri më tani për vitin dhe po i drejtohen javës së pestë radhazi të rritjeve. Inventarët e benzinës në Shtetet e Bashkuara, konsumatorit më të madh në botë, u rritën me 5.9 milionë fuçi, në nivelin më të lartë që prej Shkurtit 2021, sipas Administratës së Informacionit për Energjinë.
Inventarët e naftës bruto u rritën me 515,000 fuçi në javën e fundit, sipër projeksioneve të industrisë. Megjithatë, problemet nga ana e ofertë kanë qenë më të mëdha. Shqetësimet u rritën këtë javë kur grupi Houthi në Yemen sulmoi Emiratet e Bashkuara Arabe, prodhuesin e tretë më të madh të OPEC. Rusia nga ana tjetër, ka mbledhur trupat ushtarake në kufirin me ukrainën, duke rritur shqetësimet e një sulmi së shpejti, çka do të tranzonte furnizimet në kontinent.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.