Nafta e nis javën në rritje – Mbështetet nga rimëkëmbja e kërkesës dhe nga prodhimi i ulët

Nafta po qëndron në nivelin më të lartë në disa vite në sesionin e sotëm, për shkak të rimëkëmbjes së kërkesës nga pandemia e Covid-19 dhe furnizimit të ulët të tregut. Edhe pritshmëritë se konsumatorët do të zhvendosen nga gazi drejt naftës po mbështesin çmimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 86 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga tetori i vitit 2018.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 83 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga tetori i vitit 2014. Të dyja kontratat fituan rreth 3% të vlerës javën e kaluar. Analistët parashikojnë se temperaturat e ftohta në hemisferën veriore do të thellojnë më tej deficitin e furnizimit me naftë dhe gaz. Ndër zhvillimet e tjera, kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, deklaroi se vendi do të urdhërojë prodhuesit e naftës të rrisin prodhimin dhe do të marrë masa për të zbutur goditjen nga rritja e çmimeve ndaj industrive që janë prekur tashmë nga kostot e larta të energjisë.
Ndërkohë, furnizimi mund të rritet nga Shtetet e Bashkuara, pasi të dhënat treguan se numri i puseve aktive u rrit me 10 njësi, për të gjashtën javë me radhë, në totalin e 543 puseve. Në anën tjetër, ekonomia kineze mund të jetë rritur me një hap më të ngadaltë në tremujorin e tretë të vitit, e goditur nga ndërprerjet e energjisë elektrike dhe nga vatrat e reja të Covid-19. Për këtë arsye, përpunimi ditor i naftës bruto, gjatë shtatorit, ra në nivelin më të ulët që nga maji i vitit 2020.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.