Nafta e nis javën në rritje – Tregtohet në nivelin më të lartë 4-vjeçar
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje në sesionin e parë të kësaj jave, duke qendruar në nivelin më të lartë në katër vitet e fundit. Çmimet vijojnë të mbështeten nga sanksionet amerikane ndaj Iranit, që është prodhuesi i tretë më i madh i OPEC, të cilat hyjnë në fuqi më 4 nëntor. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 83.2 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 73.5 dollarë për fuçi.
Çmimet po mbështeten lehtë edhe nga të dhënat e publikuara në SHBA, që treguan një stanjacion të aktivitetit të shpim-kërkimit, që sugjerojnë një rënie të prodhimit në terma afatshkurtër. Një tjetër shenjë për impaktin e sanksioneve amerikane ndaj Iranit, ishin edhe të dhënat e publikuara nga kompania kineze, Sinopec, që deklaroi se do të përgjysmojë importet e naftës nga Irani, gjatë këtij muaji. Kina është blerësi më i madh i naftës iraniane. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Mbretin Salaman të Arabisë Saudite, ku diskutuan mundësitë për të furnizuar tregun, në një kohë që eksportet e Iranit po goditen nga sanksionet.
Në këtë situatë, analistët mendojnë se, nëse Arabia Saudite nuk rrit prodhimin në rreth 10.5 milionë fuçi në ditë, atëherë çmimet mund të rriten deri në 100 dollarë. Me çmimet e naftës që po rriten, ekzistojnë edhe shqetësime për efektet e inflacionit në rritjen e kërkesës, sidomos në vendet në zhvillim, ku dobësimi i monedhave po i shton akoma më shumë kostot e karburanteve.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.