Nafta frenon rritjen ditën e Mërkurë – Çmimet ndalojnë poshtë 100 dollarë pasi sanksionet do të përjashtojnë energjinë

Nafta ndaloi rritjen në tregtinë e së Mërkurës, pasi u rrit në nivelin më të lartë në 7 vite në sesionin e mëparshëm, pasi u bë e qartë se vala e parë e sanksioneve europiane dhe amerikane ndaj Rusisë, nuk do të ndërpresë furnizimet e naftës. Paralelisht, mundësia e rikthimit të naftës iraniane në treg, ndërkohë që Teherani dhe fuqitë botërore ndodhen pranë një marrëveshjeje, ka mbajtur gjithashtu një limit tek çmimet.
Nafta Brent, çmimi referencë në bursën e Londrës, u rrit me 0.3% në 97.14 dollarë për fuçi, pasi arriti në 99.5 dollarë në tregtinë e së Martës, që është niveli më i lartë që prej Shtatorit 2014. Nafta bruto amerikane u rrit me 0.3% gjithashtu, në 92.21 dollarë për fuçi, pasi shënoi 96 dollarë në tregtinë e së Martës. Sipas analistëve, aleatët e NATOs po i përmbahen disa sanksioneve ndëshkuese, duke lënë ende hapur derën për diplomaci. Kjo e fundit, së bashku me rikthimin e iranit në treg, pritet të mbajnë çmimet poshtë 100 dollarëve për momentin.
Çmimet u rritën në ditën e mArtë prej shqetësimeve se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë për dërgimin e trupave në 2 rajonet e ndara në lindje të Ukrainës, do të godisnin furnizimet me energji. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara e bënë të qartë se nuk do të ketë ndikim tek eksportet e energjisë.
Sanksionet e vendosura nga SHBA, BE, Britania, Australia, Kanadaja dhe Japonia, përqëndrohen kryesisht tek bankat dhe elitat e rusisë, ndërsa Gjermania, ndaloi gazsjellësin gjigant Nord Stream 2, që kalon përmes detit Baltik, në kundërpërgjigje të krizës. Arritja e marrëveshjes bërthamore me iranin, diçka që po frenon rritjen e çmimeve, mund të rikthejë më shumë se 1 milionë fuçi në ditë në treg.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.