Nafta gjendet nën presion – Prodhimi në SHBA rritet në një rekord prej 10.9 mln fuçi
Çmimet e naftës po tregtohen të qendrueshëm në sesionin e sotëm, por po gjenden nën presion për shkak të të dhënave që sinjalizojnë një rritje të mëtejshme të prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe paqartësitë mbi furnizimin e tregut po ushtrojnë presion mbi çmimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 76.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 66.8 dollarë për fuçi.
Në një shënim të Commerzbank për klientët e saj thuhet se, Arabia Saudite do të bëjë disa propozime për të rritur prodhimin në takimin e 22 qershorit, me shumë mundësi për një rritje graduale të prodhimit mes 500 mijë dhe 1 milionë fuçi në ditë. Gjatë këtij muaji, çmimet e naftës janë karakterizuar nga paqendrueshmëria, që sinjalizon se tregtarët dhe investitorët janë të paqartë mbi balancimin e raportit kërkesë-ofertë, sidomos në një kohë që prodhimi po rritet ndjeshëm në SHBA.
Prodhimi në ekonominë më të madhe është rritur me rreth 30% gjatë dy viteve të fundit, në një total prej 10.9 milionë fuçi në ditë, shumë pranë prodhuesit më të madh në botë, Rusisë, që prodhon rreth 11.1 milionë fuçi në ditë. Por, deri më tani, rritja e prodhimit është shoqëruar edhe me një rritje të kërkesës, që sipas analistëve ka qenë ndër arsyet kryesore që nga ndaluar rënien e çmimeve. Në anën tjetër, rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 4.1 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, në një total prej 432.4 milionë fuçi.
Rusia dhe Arabia Saudite pritet të hapin edhe turneun e Kupës së Botës, në orën 17:00, ndërsa presidenti Vladimir Putin dhe princi i Kurorës, Mohammad bin Salman, do të ndjekin këtë takim pranë njëri-tjetrit. Për këtë arsye, analistët mendojnë se, do të jetë e pashmangshme që gjatë kësaj përballjeje të mos diskutohet edhe për politikat e naftës.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.