Nafta “ndjek” situatën në Lindje të Europës – Çmimet bien pas njoftimit të samitit Biden-Putin mbi Ukrainën

Nafta është tregtuar në rënie ditën e Hënë, duke lënë pas rritjen fillestare më herët gjatë tregtisë, ndërkohë që lajmet për përpjekje të reja diplomatike në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, ofruan pak lehtësim në lidhje me ofertën. Nafta u tregtua në rritje në nisje të tregtisë, prej shqetësimeve të ndërprerjes së eksporteve ruse të energjisë drejt Europës, por u ranë me gati 1 dollarë/fuçi, pasi zyra e presidentit francez Emmanuel Macron, deklaroi se presidenti amerikan Joe Biden ka rënë dakord në parim për një samit me homologun rus Vladimir Putin.
Nafta Brent, çmimi referencë në bursën e Londrës ra me 0.4% në 93.14 dollarë për fuçi, pasi preku më herët gjatë tregtisë 95 dollarë. Nafta Bruto amerikane ra në 90.79 dollarë për fuçi, pasi u rrit në 92.9 dollarë më herët. Tregu amerikan do të qëndrojë i mbyllur në ditën e Hënë, gjatë pushimit të Ditës së Presidentëve. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se Rusia do të përjashtohet nga tregjet financiar ndërkombëtar dhe do t’i mohohet aksesi tek shitja e energjisë, nëse sulmon Ukrainën.
Analistët thonë se ulja e tensioneve pas lajmërimit të Samitit, bëri që disa investitorë të mbyllin pozicionet. Pavarësisht perspektivës për naftën në 100 dollarë, ministrat në vendet prodhuese thanë se OPEC duhet të ruajë objektivat e 400,000 fuçi në ditë shtesë çdo muaj, duke refuzuar thirrjet për të pompuar më shumë që të zbusin çmimet. Një limit tek rritja e çmimeve është ofruar nga mundësia e rikthimit të mbi 1 milionë fuçive në ditë nga Irani, nëse hiqen sanksionet ndërkombëtare. Zyrtarët europianë kanë bërë të ditur se një marrëveshje për të ringjallur paktin e vitit 2015 është shumë afër.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.