Nafta, në rënie të lehtë – Investitorët tërheqin fitimet e realizuara gjatë dy sesioneve

Çmimet e naftës po qendrojnë në rënie gjatë sesionit të sotëm, pasi investitorët kanë tërhequr fitimet prej rreth 2% të sesioneve të kaluara. Tregu vijon të karakterizohet nga shqetësimet se kërkesa do të bjerë, për shkak të ngadalësimit të ekonomisë globale.
Kina, që është ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe importuesi më i madh i naftës, raportoi një ngadalësim të shitjeve me pakicë dhe të prodhimit industrial, gjatë nëntorit.
Megjithatë, çmimet po gjejnë një mbështetje nga marrëveshja mes Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe Rusisë. Sipas vlerësimeve paraprake, tregu mund të përballet me një deficit në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 61 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 52.4 dollarë për fuçi.
Si pasojë e marrëveshjes së nënshkruar javën e kaluar, Arabia Saudite, që është de facto lider i OPEC, planifikon të ulë prodhimin në 10.2 milionë fuçi naftë në ditë, duke filluar nga janari.
Ndërsa në Kinë, rafineritë përpunuan 50.46 milionë ton naftë bruto, gjatë muajit të kaluar, e brabartë me 12.28 milionë fuçi në ditë, në rritje me 2.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.
Për 11-mujorin e këtij viti, ndërkohë, prodhimi nga rafineritë kineze është rritur me 7.2% në 554.48 milionë ton.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.