Nafta, në rritje të lehtë – Tkurrja e furnizimit të tregut mbështet çmimet
Nafta po ndryshon minimalisht gjatë sesionit të sotëm, ndërsa një mbështetje po e gjen nga tkurrja e furnizimit global.
Megjithatë, fitimet po kufizohen nga shqetësimet se kërkesa do të dëmtohet nga lufta tregtare SHBA-Kinë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 70.3 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 59 dollarë për fuçi. Gjatë këtij viti, ndërkohë, çmimet e naftës janë mbështetur gjerësisht nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë dhe nga tensionet politike në Lindjen e Mesme.
OPEC dhe aleatët e tjerë me në krye Rusinë do të takohen më 25 dhe 26 qershor për të diskutuar politikat e prodhimit për gjysmën e dytë të vitit. Khaled al-Fadhel, ministri i naftës i Kuvajtit deklaroi se tregu do të balancohet gjatë këtij viti, pasi rezervat globale po shënojnë rënie dhe kërkesa është e fortë. Në tregun fizik, nafta premium në Lindjen e Mesme arriti nivelin më të lartë për këtë vit, për shkak të rënies së furnizimit.
Megjithatë, investitorët po tregohen të kujdesshëm për shkak të luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë, që mund të dëmtojë ekonominë globale dhe për pasojë kërkesën për naftë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.